Festivali i 4-të i Filmit Sportiv “Prishtina 2024”, mblodhi kontribuues dhe doajenë të shumtë të sportit, të cilët për dy ditë patën rastin të shohin dokumentarë të ndryshëm sportivë nga vendi.
Në hapje të Festivalit (8 tetor), u dha premiera e dokumentarit “Legjenda e ringut”, të autorit Dukagjin Rudari, dokumentar ky që i kushtohet karrierës dhe veprimtarisë së legjendës së boksit, Mehmet Bogujevci, nënkampion bote në vitin 1978.
Në hapje folën presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, ambasadori i Ambasadës së Francës në Kosovë, Olivier Guerot dhe vetë akteri kryesor i dokumentarit, Mehmet Bogujevci.
Në ditën e dytë, u shfaqën katër dokumentarë: “Ratrak” i Elena Hoxhës, “Futbolli i Kosovës gjatë viteve të 90-ta” nga Fatos Dili, “Rivaliteti hakmarrës mes tifozëve” i Albijona Hoxhajt dhe “Ëndrra e Referit” nga Fatmir Hajzeri.
Festivali këtë herë u organizua në bashkëpunim me Javën Frankofone të Filmit, e cila këtë herë iu kushtua sportit, me ç’rast u shfaqën dokumentarë të ndryshëm sportivë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Madje në hapje, të pranishëm në panelë ishin olimpistët, notarja Hana Beiqi dhe atletja, Gresa Bakraçi, të cilat rrëfyen për përvojën e tyre në LO Paris 2024.
Festivali i Filmit Sportiv është në kalendarin e Federatës Ndërkombëtare të Kinematografisë Televizive Sportive (FICTS), anëtare e së cilës KOK është prej vitit 2019.
Festivali u mbajt në Kino Armata në Prishtinë.