Çfarë ofrojmë ne (kualifikimet)?


Akademia Olimpike e Kosovës do të ofron studime të rregullta në programin e studimit të nivelit të pestë sipas Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, themeluar në bazë të ligjit Nr. 03/L-060, datë 07.11.2008 “Për Kualifikimet Kombëtare”.


Programi “Trajner Sportiv”, është profesion në kuadër të profesioneve të klasifikuara në librin e klasifikimeve të profesioneve në Kosovë. “Trajneri Sportiv” kryen funksione të ndryshme që kanë të bëjnë me trajnim dhe edukim në fushën e sportit. Programi ofron edukimin dhe përgatitjen profesionale të trajnerëve në fushën e sporteve, në drejtimin e menaxhimit individual dhe grupor në një disiplinë sportive.


Përshkrimi i punës për “Trajner Sportiv”


“Trajneri Sportiv” zotëron kompetenca profesionale bazuar në njohuritë dhe aftësitë e fituara teorike dhe praktike, për të punuar në programimin dhe zbatimin e proceseve stërvitore dhe garave sportive, si dhe aplikimin e modeleve moderne të punës pedagogjike individuale dhe ekipore me sportistë të të gjitha moshave.


“Trajneri Sportiv” ofron cilësi të lartë të programit arsimor të zhvilluar dhe pasuruar me metodat më të reja të trajnimit në sport, duke ndihmuar te pjesëmarrësit të kenë sukses në sport.


“Trajneri Sportiv” është përgjegjës, i besueshëm, unifikues, ka të menduarit pozitiv, përhap optimizëm, gëzon njohuri të metodave të përshtatshme psikologjike dhe pedagogjike.


Trajnerët sportivë u mësojnë sportistëve amatorë dhe profesionistë, aftësitë që u nevojiten për të pasur sukses në sportin e tyre. “Trajneri Sportiv” planifikon dhe drejton programe profesionale duke u mundësuar sportistëve të arrijnë performancën maksimale në sportin përkatës. “Trajneri Sportiv” planifikon, organizon dhe zhvillon ushtrime stërvitore, duke udhëzuar sportistët për teknikat e duhura, strategjitë e lojës, aftësinë sportive dhe rregullat e sportit.


“Trajneri Sportiv ka aftësitë menaxheriale – organizative,  marrëdhëniet e mira dhe kontaktet brenda grupit, “klimë të shëndetshme” në ekip, stimulon marrëdhëniet e mira në mes të ekipit dhe trajnerit, trajnerit dhe menaxhmentit, komunikim i ndërtuar mirë dhe sjellje sovrane, e pavarur  me përfaqësuesit e  mediave. Roli i “Trajnerit Sportiv” nuk është vetëm të udhëheq procesin stërvitor, por edhe të zbatoj metodat, të cilat zhvillojnë sportistët të arrijnë potencialet e tyre.


“Trajneri Sportiv” kryen funksione të ndryshme që kanë të bëjnë me trajnim dhe edukim në fushën e sportit si: Instruktor, vlerësues, mentor, demonstrues, mbështetës, hulumtues i fakteve, motivues, këshilltar, organizator, planifikues dhe burim i gjithë dijes.


“Trajneri Sportiv” organizon proceset stërvitore, përgatit materialet e proceseve stërvitore, përshtat programin e trajnimit me nevojat e pjesëmarrësve, prezanton metodat adekuate të trajnimit, harton manuale dhe materiale mësimore për trajnim, menaxhon punën e grupit të trajnimit, vepron drejt arritjes së qëllimit të trajnimit, kontrollon gjuhën e trupit të sportistëve, njeh dhe përdor metoda të udhëheqjes së diskutimit, identifikon talent në sporte te ndryshme, zhvillon talent me metodat më të reja organizative. Ky kod i praktikës për trajnerët sportivë, përcakton gjithçka që është më e mira në praktikën e stërvitjes.


Rëndësia e “Trajnerit Sportiv”

Në klubet sportive të Kosovës ka nevojë të theksuar për staf profesional, për realizimin e detyrave profesionale të trajnimit bazë, të personave që janë pjesë e sportit. Vitet e fundit ka pasur një rritje të konsiderueshme të njerëzve që janë të përfshirë në mënyrë aktive, ose duan të jenë pjesë e sportit. Kjo rritje kërkon trajnimin e një numri të konsiderueshëm personash, që do të kishin një nivel fillestar të kompetencave për të kryer punë profesionale në sportet tona.


Qëllimi kryesor i këtij programi, është edukimi i trajnerëve përmes përvetësimit të njohurive dhe aftësive moderne teorike dhe praktikisht të zbatueshme për punë të suksesshme profesionale në organizatat dhe klubet sportive.


Programi ofron edukimin dhe përgatitjen profesionale të trajnerëve në fushën e sporteve, në drejtimin e menaxhimit individual dhe grupor në një disiplinë sportive, po ashtu përfshinë personat me aftësi të kufizuara, të cilët trajnohen që t’u shërbejnë personave të së njëjtës kategori.


“Trajner Sportiv” i përgjigjet nevojës së tregut kosovar për profesionistë në klubet sportive dhe federatat sportive të Kosovës, duke ndikuar drejtpërdrejt në metodat adekuate në përgatitjen dhe zhvillimin e trajnerëve për udhëheqjen e klubeve tona të të gjitha kategorive dhe për të gjitha gjinitë.


Përmes strukturës së duhur të kurikulës së këtij programi, pjesëmarrësit do të përvetësojnë njohuritë mbi anatominë, fiziologjinë, psikologjinë sportive, pedagogjinë sportive,  nutricionin në sport, biomekanikën e sportit, metodave stërvitore, teoria e përgatitjes sportive, edukimi olimpik,  metodat e punës së trajnerit, përgatitjet e procesit stërvitor në sport, teknikat dhe taktikat në disiplina përkatëse sportive, menaxhimin në sport, edukimin fizik special, si dhe rëndësinë e sistemit  sportivë në Kosovë.


Gjithashtu ky program është i harmonizuar me nivelin aktual të zhvillimit në fushën e edukimit dhe sportit në shtetin e Kosovës dhe është në përputhje me kërkesat e kësaj fushe.


Ky program është mundësi e mirë e edukimit dhe zhvillimit të stafit profesional për klube dhe federatat sportive.


Programi është i konceptuar në standardet evropiane dhe i orientuar në kuptimin teorik dhe praktik. Pas përfundimit të tij, trajnerët do të pajisen me njohuri, aftësi dhe kompetenca që janë ekuivalente me nivelin 5 të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve.


Objektivat e programit “Trajner Sportiv”

Ky program është krijuar për të kontribuar në edukimin dhe avancimin e trajnerëve në vend, në përputhje me standardet evropiane, si dhe për të formuar profesionistë të kualifikuar, të aftë për t’iu përgjigjur nevojave në fushën e sportit.

Pas përfundimit të programit, kandidati/ja do të aftësohet të kryejë detyrat e punës së “Trajnerit Sportiv” si:

1. Përgatitja e procesit stërvitor/trajnues;

2. Realizimi i procesit stërvitor/trajnues;

3. Analizon dhe vlerëson procesin stërvitor/trajnues;

4. Realizon punën specifike në sallën e sportit;

5. Realizon punë specifike në terrenin e hapur sportiv;

6. Realizon punën specifike me persona me aftësi të veçanta.

7. Realizon punën specifike me njerëz të moshave dhe gjinive të ndryshme.


“Trajneri Sportiv” i gëzon këto kompetenca, për kryerjen e detyrave profesionale në sport:

  1. Ofron format metodologjike dhe organizative të punës në sportin përkatës;
  2. Ofron metodologjinë e mësimdhënies në sportin përkatës;
  3. Bën analizën bazë të procesit stërvitor në sportin përkatës;
  4. Bën analizën bazë të teknikës në sportin përkatës;
  5. Bën analizën bazë të taktikës në sportin përkatës;
  6. Përshkruan funksionet elementare dhe funksionimin e sistemeve lokomotore, kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes së trupit të njeriut;
  7. Përshkruan proceset fiziologjike në trupin e njeriut, me theks të veçantë në ndikimet e mundshme në to gjatë aktivitetit kineziologjik;
  8. Përshkruan  mekanizmat e lëndimeve në sport dhe miraton procedura për parandalimin e tyre;
  9. Identifikon dhe përshkruan proceset psikologjike që ndodhin në bazë të formave të ndryshme të sjelljes dhe identifikon nevojat dhe rregullat themelore për komunikim të suksesshëm në trajnim;
  10. Përdorë konceptet bazë të statistikës dhe informatikës dhe të kuptoj nevojat e përpunimit të dhënave të mbledhura;
  11. Zbaton aspektet e sigurisë në punë gjatë zbatimit të procesit të mësimdhënies dhe punës në sportin përkatës;
  12. Zotëron njohuri mbi rolin, rëndësin e biomekanikës në sport;
  13. Zotëron njohuri për procesin e menaxhimit në sport;
  14. Zotëron njohuri për Olimpian e lashtë,  vlerat edukative të sportit, olimpizmin , vlerat olimpike, historinë lojërave olimpike, roli diplomatikë i sportit, misioni i KOK, aktivitet dhe programet tjera.