Përfaqësues të institucioneve, federatave sportive dhe të komunitetit sportiv u bënë përsëri bashkë në platformën “Tryeza e Sportit”, e pesta më radhë e organizuar nga Ministria e Sportit në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mes akterëve të sportit në raport me prioritetet e politikave sportive për vitin 2024.
Në hapje folën presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, zëvendësministrja Daulina Osmani, presidenti dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, të cilët u fokusuan në rëndësinë që kanë takimet e tilla me komunitetin e sportit, pritjet për vitin 2024, bashkëpunimin Kosovë – Shqipëri për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, etj.
Diskutimi në tryezë u nda në dy panele të ndryshme, ku tema në panelin e parë ishte reforma ligjore në sport, ndërsa në panelin e dytë politikat sportive dhe prioritetet për vitin 2024.
Në kuadër të reformës ligjore u prezentua dhe u diskutua Ligji i ri i sportit, Ligji Anti-Doping, Ligji për parandalimin e dhunës në sport, si dhe ndikimi i reformës tek komunitetet sportive, për të cilën temë në panel ishte edhe udhëheqësja e zyrës ligjore në KOK, Blerina Imeri, ekspertët ligjorë, Jeton Oruqi e Rinor Hoxha, dhe koordinatori i KosADA, Bernard Tahirbegolli.
Ndërsa tek politikat sportive dhe prioritetet për vitin 2024 u diskutua rreth organizimit të garave ndërkombëtare, pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Paris 2024 dhe Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe mbështetjes financiare përmes thirrjeve publike në sport për sivjet, panelistë ishin: Trajneri me tri medalje olimpike në xhudo, Driton Kuka, zëdhënësi i KOK-ut, Kushtrim Krasniqi, sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini dhe zyrtari i Departaentit të Sportit në MKRS, Fidan Shatri.