+383 38 222 223 / [email protected]

KO i B. & H. organizoi punëtorinë e radhës për projektin “Sporti si vlerë”

Komiteti Olimpik i Bosnjës dhe Hercegovinës ka qenë mikpritës i punëtorisë së zhvilluar në kuadër të projektit “Sporti si vlerë”, pjesë e programit të “Erasmus Plus”.


KOK-un e përfaqësuan anëtaret Diellza Kelmendi, koordinatore e vlerave olimpike në Akademinë Olimpike dhe Marigona Mehmeti, e angazhuar në projektin në fjalë.


Projekti ka për qëllim të integrojë vlerat pozitive në praktikën sportive dhe të ndërtojë një komunitet më të fortë përmes sportit, si dhe të promovojë vlerat në Bashkimin Evropian.




Në takimet tre ditore, të cilat filluan me një vizitë në muzeun olimpik të KO të Bosnjës dhe Hercegovinës, përfaqësuesit e ENGSO, OPES, EAS, Universiteti i Prishtinës, KOK-u, KOKSH, KO i Malit të Zi dhe Konfederata e Sporteve të Portugalisë, patën mundësinë të njihen me hartimin e aplikacioneve të projektit, si dhe me sfidat me të cilat mund të përballemi në menaxhimin e projekteve.

Partnerët shkëmbyen përvoja të ndryshme, si dhe diskutuan edhe për mundësitë e aksioneve të përbashkëta, të cilat planifikohen të organizohen vitin e ardhshëm, si pjesë e paketës së katërt të punës.