Besim Aliti prezantoi konceptin e LM Prishtina 2030 në Forumin Ndërkombëtar Ulpiana

Në ditën përmbyllëse të Forumit Ndërkombëtar Ulpiana, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti ka prezantuar konceptin e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.


Aliti theksoi se LM Prishtina 2030 paraqet një mundësi të rëndësishme për Republikën e Kosovës që të përmirësojë dhe krijojë ura bashkëpunimi me njerëz nga vende të ndryshme të botës.


Sporti në Kosovë ofron një shans për të treguar historinë dhe motivimin tonë për të organizuar dhe mirëpritur mijëra sportistë e zyrtarë tjerë nga 26 vende të kontinenteve të Evropës, Afrikës e Azisë.


Krahas LM Prishtina 2030, Aliti prezantoi edhe sukseset e tjera të KOK-ut, siç janë anëtarësimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2014, tri medaljet e arta olimpike, të fituara nga xhudistët Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, si dhe suksese tjera të shënuara në arenën ndërkombëtare.