Drejtuesit e KOK-ut pritën krerët e FFK-së, u diskutua për LM Prishtina 2030

Drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi, dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, kanë pritur udhëheqësit e Federatës së Futbollit të Kosovës, kryetarin Agim Ademi dhe sekretarin e përgjithshëm, Taulant Hodaj.


Palët kanë diskutuar për gjetjen e urave të bashkëpunimit në projekte të ndryshme, me theks të veçantë Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.


Futbolli është pjesë e programit të Lojërave Mesdhetare, për çka presidenti Krasniqi shpalosi investimet e Qeverisë në përmirësimin e infrastrukturës së futbollit, me ndërtimet dhe rinovimet e stadiumeve tjera.


I pari i federatës më të madhe në vend, Agim Ademi, i dha mbështetjen e plotë drejtuesve të KOK-ut për organizimin e LM Prishtina 2030, duke mirëpritur investimet në infrastrukturën e futbollit, të cilat i sheh mëse të nevojshme për zhvillimin e mëtutjeshëm të futbollit tonë.


Kosova është kandidate për organizimin e LM Prishtina 2030, ndërsa më 8 shtator 2023 në Heraklion të Greqisë, do të vendoset për organizatorin e këtij edicioni të Lojërave Mesdhetare.