KOK organizoi seminarin për rolin e zyrtarit për integritet në sport

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) të shtunën ka organizuar seminarin për rolin e zyrtarit për integritet në sport në federatat sportive.

Seminari është mbajtur në hotel Sirius në Prishtinë dhe pjesëmarrës kanë qenë një numër i konsiderueshëm i federatave sportive që veprojnë në vendin tonë.

Në fjalën hyrëse të seminarit, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ka folur për rëndësinë e madhe që ka sporti i pastër dhe për mbështetjen e madhe që KOK-u do t’ua jap federatave sportive për çështjet e integritetit në sport.

“Ne jemi të përkushtuar të promovojmë integritetin në sport, lojën e pastër dhe të ndershme, në mënyrë që garat tona sportive të zhvillohen në frymën e fair-playt, dhe ndytësit e sportit tonë, nëse kemi të tillë, të largohen njëherë e përgjithmonë nga sporti”, tha mes tjerash presidenti Krasniqi.

Ligjëruese e seminarit ishte Nita Gjikolli, e cila ka folur për temat që lidhen direkt me integritetin në sport:

  • Promovimi i lojës së ndershme dhe sportit.
  • Parandalimi dhe adresimi i çështjeve të dopingut dhe mashtrimit.
  • Kultivimi i kulturës së përfshirjes dhe respektit në sport.
  • Edukimi i udhëheqjes së përgjegjshme dhe vendimmarrjes etike.

Në një pjesë të ligjëratës është bashkëngjitur edhe Joanna Maranhao nga “Sport & Right Alliance – Network Coordinator”, njëherësh notare profesioniste dhe e mbijetuar e abuzimit.

Pjesëmarrësit ishin shumë të kënaqur me organizimin e seminarit, ku gjatë mbajtjes së tij ishin shumë aktiv, me pyetjet drejtuar ligjëruesve dhe e inkurajuan KOK-un për vazhdimin e organizimit të seminareve të tilla inkurajuese për sport të pastër.

Organizimi i seminarit është pjesë e projektit për fushatën për edukimin e komunitetit sportiv për integritetin në sport, projekt ky i fituar nga KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON).

Për ta zbatuar projektin, KOK ka formuar një grup punues, i cili do të punojë ngushtë me federatat sportive në vendin tonë, duke filluar nga organizimi i këtij seminari.