Eksperti i burimeve njerëzore, Rob Clarke, ligjëroi në modulin e tretë të ASMC 4

Ka përfunduar me sukses moduli i tretë i gjeneratës së katërt të kursit të avancuar për menaxhimin sportiv (ASMC 4), që po organizohet nga Akademia Olimpike e Kosovës, që vepron në kuadër të KOK-ut.


Në këtë modul u ligjërua për menaxhimin e burimeve njerëzore.


Ligjërues i jashtëm ishte Rob Clarke nga Britania e Madhe.


Clarke ka përvojë të madhe në lëvizjen olimpike në botë për më shumë se 30 vjet, veçanërisht në organizimin e Lojërave Olimpike, kurse në Londra 2012 ishte udhëheqës për burimet njerëzore.

Prej vitit 2019 është pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar me rol këshillues për LO Paris 2024, Milano Kortina 2026, Los Angjelos 2028 dhe Brisbane 2032.


Prej 2019-ës është edhe pjesë e Federatës Botërore të Atletikës. Ai ka përvojë të madhe në ligjërime të Federatave Ndërkombëtare dhe Komiteteve Olimpike Kombëtare.

Në Lojërat Evropiane Baku 2015 ishte drejtor i burimeve njerëzore, ndërsa në Lojërat Aziatike 2017 dhe Lojërat e Arteve Marciale ishte zëvendës drejtor.

Ligjërues tjerë të këtij moduli ishin: Besim Aliti, sekretar i përgjithshëm i KOK-ut dhe Ibër Alaj, udhëheqës i programit të ASMC 4.

Vijues të ASMC 4 janë përfaqësues të federatave sportive dhe Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport.