Mobilizim i madh në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe

Komuna, federata sportive, klube dhe sportistë të shumtë i janë bashkuar kampanjës së organizatës ndërkombëtare “Peace and Sport” me letër të bardhë, në shënimin e 6 prillit – Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe.

Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Komunat e Pejës, Istogut, Drenasit, Kaçanikut dhe Lipjanit mblodhën fëmijë të shumtë në sheshet e tyre, të cilët zhvilluan aktivitete sportive, derisa ngritën edhe letrën e bardhë.

Ftesës së KOK-ut iu përgjigjën pozitivisht edhe shumë federata sportive, klube dhe sportistë të ndryshëm, përfshirë ata elitarë të kombëtareve ekipore si futbolli, basketbolli dhe volejbolli, si dhe organizata të tjerë, sponsorë të KOK-ut, dhe personalitete tjera nga arti dhe kultura.


Presidenti Krasniqi në mesazhin e tij i bëri thirrje gjithë Lëvizjes Olimpike që të jenë të bashkuar dhe ta shënojnë këtë ditë duke ngritur letrën e bardhë, e cila simbolizon dërgimin e mesazhit të paqes në botë.

KOK, po ashtu organizoi ceremoninë e nënshkrimit të bursave me 24 bursistë “Shpresa Olimpike 2022”, të cilët po ashtu ngritën lart letrën e bardhë.

KOK falënderon të gjithë ata që iu përgjigjën pozitivisht ftesës për ta shënuar këtë ditë.