KOK-u nënshkroi memorandum bashkëpunimi me MKRS-në

Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria për Kulturë, Rini e Sport, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimin për vitin 2020.

Memorandumi u nënshkrua nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe ministrja për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi.

Memorandumi parasheh përkrahje financiare të MKRS për KOK-un gjatë këtij viti.


Ministrja Vlora Dumoshi, me këtë rast tha se përkrahja e MKRS-së për KOK-un mundëson planifikim më të mirë të aktiviteteve për këtë vit.

Memorandumet u nënshkruan edhe me Federatën e Futbollit të Kosovës, të Basketbollit, Hendbollit dhe Volejbollit, bazuar në kategorizimin e sporteve të bërë nga KOK-u.

“Memorandumet që nënshkruam sot me KOK-un, FFK-në, FBK-në, FVK, dhe FHK-në, përcaktojnë nivelin e përkrahjes për këto organizata sportive. Kjo përkrahje bëhet në bazë të meritave të cilat janë përcaktuar me rregullore. Vetë mekanizmat që e organizojnë dhe zhvillojnë fushën e sportit në vendin tonë e kanë përcaktuar, dhe poashtu në MKRS në këtë kohë pandemie do vazhdojmë të jemi sa më afër sportistëve tanë”, u shpreh ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Presidenti Hasani shprehu konsideratën dhe respektin ndaj ministres Dumoshi, MKRS dhe Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e dhënë në vazhdimësi.

KOK 1/3 e buxhetit e siguron nga MKRS, 1/3 nga Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe 1/3 ng sponsorët.