Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot, iu dha drita jeshile ndërtimit të Qendrës Sportive për zhvillimin e arteve marciale.
U nënshkrua memorandum mirëkuptimi ndërmjet MKRS-së, Komunës së Prishtinës, Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovës (UNDP), Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatës së Karatesë së Kosovës.
Përmes këtij memorandumi, palët nënshkruese pajtohen që në Prishtinë të ndërtohet një Qendër Japoneze për Arte Marciale (Karate, Xhudo, Xhiu-Xhicu, Kendo, etj) në përputhje me standardet ndërkombëtare të konkurrencës, së bashku me krijimin e ‘Asamblesë së Arteve Marciale’ dedikuar këtyre disiplinave.
Palët nënshkruese do të kenë përgjegjësitë e tyre si vijon: MKRS-ja do të ndihmojë në zhvillimin dhe financimin e programeve në qendrën që do të ndërtohet, do të nxisë dhe përfshijë pjesëmarrjen e specialistëve në seminare, simpoziume dhe konferenca sportive me mjeshtra të këtyre arteve marciale si dhe do të mbështesë zhvillimin teknik dhe administrativ të këtij projekti duke siguruar fondet afatmesme; Komuna e Prishtinës do të sigurojë parcelën për ndërtimin e qendrës dhe mbështetjen për procedurat tjera që parashihen për ndërtim;
Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë/UNDP-ja do të lehtësojë koordinimin dhe marrëdhëniet me donatorët që do të ndihmojnë në ndërtimin e kësaj qendre; KOK-u do të mbështesë mundësimin e garave ndërkombëtare/rajonale në Asamblenë e Arteve Marciale si dhe do të bashkëpunojë me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për mbështetje financiare/logjistike; Federata e Karatesë së Kosovës do të udhëheqë projektin të cilin e ka konceptuar si të tillë dhe do të hartojë strukturën për menaxhimin e drejtë të kësaj qendre.
Detyrë e përbashkët e palëve nënshkruese sipas memorandumit është gjetja e fondeve për përfundimin e projektit dhe për pajisjen e qendrës me pajisjet e duhura.
Ministri Kujtim Gashi, e vlerësoi këtë akt të cilin e nënshkruan bashkërisht me palët tjera jashtëzakonisht të rëndësishëm duke qenë se përkon me politikat e MKRS-së ndaj sportit.
“Vendi ynë tashmë është dëshmuar për kapacitetet, talentet e shumtë dhe sukseset në sportet dhe artet marciale duke kulmuar me medalje olimpike të cilën Kosova ka arritur ta fitojë në sportin e xhudos me medalisten Majlinda Kelmendi. Duke pasur parasysh afinitetin e të rinjve të Kosovës për sporte individuale, me theks ato luftarake, si Ministri jemi të përkushtuar maksimalisht ta mbështesim dhe avancojmë më tutje këtë sferë”, tha ministri Gashi.
“Sukseset e shumta ndërkombëtare të sportistëve tanë në xhudo e karate, fusha këto të arteve marciale kanë mundësuar promovimin e mëtejmë të tyre por edhe të shtetit të Kosovës. Po kështu, këto sporte janë edhe mjet për angazhimin dhe fuqizimin e të rinjve të Kosovës dhe largimin e tyre nga rrugët e këqija dhe dukuritë devijante”, tha ai.
Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, u shpreh se infrastruktura është ndër faktorët kryesor për suksese në sport. “Ne i mbështesim projektet që kanë karakter për përfshirjen e të gjithëve pa dallim”, tha i pari i KOK-ut.
Ndërkaq, përfaqësuesja e UNDP-së, Ulrika Richardson, theksoi se përmes kësaj ceremonie po mundësojmë ndërtimin e një qendre e cila promovon artet marciale. “Të rinjtë kosovarë kanë korrur shumë suksese në këto sporte”, ka vlerësuar ajo.
Ndërsa, Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, u shpreh se Komuna shumë shpejtë do të nis procedurat për realizimin e këtij projekti i cili është i mirëseardhur për të rinjtë e Prishtinës. “I përshëndes të gjithë akterët e kësaj iniciative për ndërtimin e këtij kompleksi sportiv për zhvillimin e sporteve. Unë zotohem se Komuna e Prishtinës do t’i ofrojë mundësi të rinjve të Prishtinës dhe sportdashësve për krijimin e hapësirave të mjaftueshme për zhvillimin e aktiviteteve të tyre sportive”, tha Pacolli.
Kurse Ismet Krasniqi, kryetar i FKK-së, e konsideroi si një moment historik për artet marciale në Kosovë. Ai vlerësoi se Kosova ka sportistë dhe talente të shumtë që po shkëlqejnë në arte marciale. “Këto sporte luftarake kanë nevojë për hapësira të tilla të mëdha dhe pas ndërtimit të këtij kompleksi sportiv do të kemi mundësinë të organizojmë kampionate evropiane dhe botërore. Kjo sallë parashihet t’i ketë 5000 ulëse dhe do të jetë e stilit të vjetër japonez”, tha Krasniqi.