+383 38 222 223 / [email protected]

KOK nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Komunën e Gjilanit

Komiteti Olimpik i Kosovës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komunën e Gjilanit, e cila bëhet bashkëfinancuese me KOK-un për bursisten olimpike, karateisten Fortesa Orana.
Memorandumi u nënshkrua nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri.
Karateistja Orana është bursiste për Lojërat Olimpike Tokyo 2020. KOK-u, falë projektit të fituar në Solidaritetin Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar i jep nga 150 dollarë në muaj Oranës, kurse nga buxheti i vet i ndanë nga 100 euro tjera në muaj. Komuna e Gjilanit obligohet të paguajë nga 100 Euro Fortesa Oranës, deri në përfundim të ciklit olimpik 2020.
Pjesë e takimit ishin edhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj dhe udhëheqësi për Sport në Komunën e Gjilanit, Malazog Hoxha.
Drejtuesit e KOK-ut informuan kryetarin Haziri dhe udhëheqësin për sport, Hoxha, edhe me benefitet që sjell Ligji për Sponsorizim, nga të cilët kërkuan të nxisin bizneset e Komunës së Gjilanit, të investojnë në sport.
Po ashtu, u bisedua edhe për organizimin e Panairit të Sportit 2018, që mbahet në shtator në kuadër të Javës Evropiane të Sportit, si dhe organizimin e Ditës Olimpike në Gjilan, që mbahet më 25 maj 2018.
Kryetari Haziri duke falënderuar drejtuesit e KOK-ut për iniciativën e marrë me rastin e sqarimit të Rregullores për Ligjin për Sponsorizim, ku krahas krerëve të Komunës, Rregullorja iu sqarua edhe bizneseve dhe klubeve, shprehu gatishmërinë për të ndihmuar sportin gjilanas, në veçanti klubet.