Organizata e Evropës Lindore për Anti-Doping (EERADO), për dy ditë radhazi do të organizojë trajnim dhe seminar në Kosovë.
Me këtë rast, sot në Prishtinë kanë arritur drejtori gjeneral i Organizatës së Evropës Lindore për Anti-Doping (EERADO), Teimuraz Ukleba dhe menaxherja e kësaj organizate (EERADO), Tamar Svanishvili, të cilët u pritën ngrohtësisht nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe anëtari i Bordit të EERADO-s, Avni Nuha, njëherit kryetar i Komisionit Mjekësor të KOK.
Nesër (e enjte) do të mbahet trajnimi “Ndërtimi i Kapaciteteve të Anti-Dopingut” (Anti-Doping Capacity Building), ndërsa të premten (4 tetor 2019) organizohet seminari ndërkombëtar i EERADOS me temën: “Sporti i Pastër” (Clean Sport).
Në seminarin e së premtes, i cili mbahet në Hotel Swiss Diamond prej orës 8:00, mund të marrin pjesë edhe mjekët, trajnerët dhe sportistët eminentë të federatave.