+383 38 222 223 / [email protected]

41 federata të kategorizuara, 34 sportistë dhe 23 trajnerë

03 shkurt 2023

41 federata të kategorizuara, 34 sportistë dhe 23 trajnerë, është bilanci i dalë nga kategorizimi i sporteve, sportistëve dhe trajnerëve për vitin 2023. 


Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) edhe këtë herë ka bërë kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve, përmes komisionit përkatës, që në përbërje kishte anëtarë të Bordit Ekzekutiv.


Në grupin A të sporteve janë shtatë federata. Me rekomandim të komisionit dhe aprovim të BE, xhudoja me dy medalje të arta olimpike gjatë këtij cikli olimpik dhe futbolli si sporti më masiv, janë rekomanduar me nga 100 pikë në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport (MKRS).



Në kategorinë A, janë edhe hendbolli, volejbolli, basketbolli, karate dhe boksi.


Në kategorinë B ndodhen nëntë federata, ndërsa në C janë 17 federata. Kategoria e fundit D, përbëhet nga tetë federata.


Në kategorizimin e sportistëve prijnë xhudistet kampione olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova me nga 100 pikë, të ndjekura nga Majlinda Kelmendi, kampione e Lojërave Evropiane Minsk 2019, Akil Gjakova kampion i Evropës 2021, boksierja Donjeta Sadiku, medaliste e bronztë e botës, të gjithë këta me nga 60 pikë.


Në kategorizimin e trajnerëve, kryeson bindshëm trajneri i xhudos, Driton Kuka, me 260 pikë, vlerësim ky që është bërë për 11 garues të tij.


Në pjesën e epërme të renditjes janë edhe Marjolla Sallauka, trajnere e Donjeta Sadikut, Besim Brahimi që poentohet për sukseset e boksierëve Patriot Behrami e Shpejtim Bajoku, Asdren Myrtaj për karateistin Herolind Nishevci, Sylejman Shala për mundësin Egzon Shala e Sabri Dragusha në cilësinë e trajnerit të bodibilderit Kushtrim Bajraktaraj.


Lista dhe poentimi i federatave, sportistëve dhe trajnerëve, mund të ndryshojë në komisionin e ankesave, nëse ndonjëra palë dërgon ankesë në këtë komision në afat prej tetë ditësh.


Kategorizimi i sporteve 2023

Kategorizimi i sportistëve 2023

Kategorizimi i trajnerëve 2023