+383 38 222 223 / [email protected]

U mbyll Konferenca e 3-të Ndërkombëtare Shkencore për Edukimin Fizik, Sportin dhe Shëndetin

Është mbyllur të enjten Konferenca e 3-të Ndërkombëtare Shkencore për Edukimin Fizik, Sportin dhe Shëndetin, e cila u organizua nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës (UP), konkretisht Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit (FEFS), Universitetin e Tiranës (UT) dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).

Konferenca dyditore mblodhi profesorë dhe studiues të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët prezantuan punimet e tyre shkencore nga fusha e edukimit fizik, sportit dhe shëndetit.

Në fjalën hapëse, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ka theksuar se KOK-u synon që përmes  bashkëpunimit me institucionet arsimore dhe sportive në vend, të kontribuoj në avansimin e edukimit dhe kërkimeve shkencore në sport, derisa përmendi memorandumin e bashkëpunimit me UP-në, themelimin e Akademisë Olimpike, derisa veçoi suksesin e Kosovës të arritur në Lojërat Olimpike Tokio 2020.


“Sukseset e tilla duhet inkurajuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë, por edhe hulumtuesit e tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, që nëpërmjet kërkimit shkencorë të dalin me konkluzione të cilat avansojnë nivelin e sportit, sportistëve dhe Lëvizjes Olimpike në vendin tonë”, tha mes tjerash i pari i KOK-ut.

Të pranishmëve iu drejtua edhe presidenti i KOKSh-it, Fidel Ylli, i cili duke çmuar lart organizimin e përbashkët të kësaj konference, theksoi se njohja më e madhe e Kosovës i është bërë përmes sportit, konkretisht parakalimit në Lojërat Olimpike Rio 2016 dhe medaljes së Majlinda Kelmendit.

Për rëndësinë e madhe që ka kjo konferencë folën edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, rektori i Universitetit të Tiranës, Agron Kasa, dekani i FEFS-it, Musa Selimi, si dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Konferencën e madhështuan edhe më shumë prania e kampioneve olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, dhe trajneri më i mirë për vitin 2021 në botë për sportin e xhudos, Driton Kuka, të cilët patën edhe një fjalë rasti, ku vlerësuan lartë organizimin e kësaj konference.

Qëllimi i konferencës ishte nxjerrja e konkluzioneve, të cilat avansojnë nivelin e sportit, sportistëve dhe Lëvizjes Olimpike në vendin tonë.