+383 38 222 223 / [email protected]

U mbajt Asambleja e Punës 2021, dy federata të reja u bënë anëtare të KOK-ut

Komiteti Olimpik i Kosovës ka mbajtur të enjten mbrëma Asamblenë e Përgjithshme Vjetore për vitin 2021, e cila u mbajt në Hotel Emerald në Prishtinë.

Në fjalën e tij, presidenti Ismet Krasniqi, duke falënderuar asambleistët për bashkëpunimin, e quajti vitin 2021 më të suksesshmin në histori të sportit kosovar.

I pari i KOK-ut përmendi suksesin në Lojërat Olimpike Tokio 2020, themelimin e Akademisë Olimpike, aktivitetet e edukimit olimpik, bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare sportive si IOC, EOC, ANOC, ICMG, pastaj Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport etj.


I pranishëm në Asamble ishte edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku, i cili vlerësoi lart bashkëpunimin me KOK-un në zhvillimin e strategjisë kombëtare dhe projekte tjera të shumta. 

Ministri përmendi edhe rritjen e buxhetit për KOK-un dhe federatat sportive për vitin 2022, licencimin e federatave etj.

Të pranishëm në Asamble ishin 101 delegatë nga 112 sosh.

Më pas, asambleistët diskutuan për praninë e disa prej federatave sportive, të cilave iu kontestohej e drejta e votës, derisa u bënë diskutime edhe për kërkesën e mosbesimit të kërkuar nga disa federata sportive, por që Bordi Ekzekutiv i KOK-ut nuk e kishte përfshirë në rendin e ditës, duke i vlerësuar arsyetimet të pabaza dhe jostatutare. Kjo ngjalli paknaqësi tek një pjesë e asambleistëve, të cilët pasi u votua rendi i ditës me shumicë votash, lëshuan sallën, kurse punimet i vazhduan 77 asambleistë.

Asambleistët unanimisht, procesverbalin e Asamblesë së Punës 2020 dhe Asamblese Zgjedhore, raportin e punës 2021, raportin financiar 2021, raportin e auditimit 2021, raportin e këshillit mbikëqyrës, planin e veprimit 2022 dhe planin financiar 2022.

Po ashtu, unanimisht u votua edhe për anëtarësimin e plotë të Federatës së Padelit dhe Federatës Mundje Krahu të Kosovës.

Paraprakisht, u mbajt një minutë heshtje për gjithë kontribuesit e sportit, të cilët u ndanë nga jeta gjatë vitit të kaluar.