KOK dhe Kolegji Universi, nënshkruajnë marrëveshje sponsorizimi
Kolegji Universi i është shtuar listës së sponsorëve të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Marrëveshja një-vjeçare me mundësi vazhdimi, është nënshkruar sot nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm i Kolegjit Universi, Fadil Luta.
Presidenti Hasani duke falënderuar drejtuesit e Kolegjit për nënshkrimin e kontratës, theksoi se kjo marrëveshje do të jetë në funksion të sportistëve.
“Sot ishte kënaqësi e veçantë që në emër të KOK-ut të nënshkruajmë marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin Universi. Në kuadër të këtij kolegji funksionon edhe dega e edukimit fizik, ndërsa janë të pajisur me një laborator bashkëkohor, i cili do të jetë në funksion të testimeve të shumta që do t’i bëjnë sportistët, e veçanërisht ata elitarë. Uroj që së bashku do ta krijojmë një brend të ri të përbashkët, në funksion të rritjes së performancës së sportistëve elitarë”, theksoi ndër të tjera presidenti Hasani.
Në emër të Universit, Luta shprehu kënaqësinë që do të kenë mundësi të japin kontribut për sportistët elitarë.
“Me këtë marrëveshje do t’iu ofrojmë shërbime sportistëve elitarë që janë në kuadër të listës së KOK-ut. Kjo marrëveshje është një prej përpjekje të Kolegjit për të përmbushur premtimet për kontributin në komunitet dhe për të ndihmuar sportistët”, deklaroi Luta.
Në këtë kolegj, që ndodhet në Fshatin Bardhosh të Prishtinës, testimet i kryejnë sportistë e klube të ndryshme, ndërsa veçohet edhe kampioni i shumëfishtë i Maqedonisë së Veriut dhe njëri prej klubeve më të suksesshme shqiptare në arenën ndërkombëtare, KF Shkëndija e Tetovës.
VIDEON ME PAMJE DHE DEKLARATA E GJENI NË KËTË LINK