Tri medalje për Kosovën në ditën e parë të Mastersit të xhudos Doha 2021
Një e artë dhe dy të bronzta është bilanci i medaljeve të fituara nga ekipin Olimpik i xhudos, në ditën e parë të garës së Mastersit, që po mbahet në Doha të Katarit.
Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë, Majlinda Kelmendi (-52 kg) e Nora Gjakova (-57 kg) fituan të bronztën.
Distria vazhdoi me formën e mirë nga viti i kaluar, duke u ngjitur në podium nga çdo garë ku ka marrë pjesë.
Ajo këtë herë dominoi ndaj secilës kundërshtare, duke mposhtur Marusa Stagar (Slloveni), Catarina Costa (Portugali), Melanie Clement (Francë) dhe në finale japonezen Funa Tonaki.
Në Mastersin e Dohas marrin pjesë vetëm top-36 garuesit e parë nëpër kategori, ndërsa maksimumi i pikëve të fituara Olimpike Tokio 2020 është 1800, 200 më pak se gara kryesore Kampionati Botëror. Po aq pikë (1800) i takuan Distrias, që konfirmohet bindshëm e para në renditjen Olimpike dhe botërore.
Për Krasniqin, medalja e sotme ishte e treta e artë e fituar në Masterse.
Kampionia Olimpike, Kelmendi, që u rikthye në gara pas 14 muajsh, u ngjit në podium si medaliste e bronztë.
Ajo vargoi tri fitore ndaj Andrea Chitu (Rumani), Agata Perenc (Poloni) dhe Evelyne Tschopp (Zvicër). Në gjysmëfinale u mund nga francezja, Amandine Buchard, ndërsa për të bronztën mundi belgen Charline Van Snick.
Kelmendi shtoi në konton e saj 900 pikë Olimpike.
Rikthim në podium pas afër një viti bëri edhe kampionia e Evropës 2018, Nora Gjakova, kategoria -57 kg. Ajo shënoi fitore ndaj Marica Perisiq (Serbi), Helene Receveaux (Francë) dhe Telma Monteiro (Portugali), ndërsa në gjysmëfinale u mund nga Tsukasa Joshida (Japoni). Edhe Nora fitoi 900 pikë Olimpike.
KOK përgëzon suksesin madhështor të ekipit tonë me në krye mjeshtrin Driton Kuka.
Nesër në Doha garon Akil Gjakova (-73 kg), ndërsa të mërkurën Loriana Kuka (-78 kg).