Nga Olimpiada e “Sidnej 2000” tek ëndrra për ta dërguar hendbollin tonë në nivel tjetër

E hënë,  14 dhjetor 2020

Taip Ramadani në vitin 2000 ishte pjesëmarrësi i vetëm nga Kosova që mori pjesë në Lojërat Olimpike “Sidnej 2000” (Sydney 2000). Atëbotë, Ramadani përfaqësonte Kombëtaren e Australisë në hendboll, e cila ishte mikpritëse e Olimpiadës.

Taipi që ka lindur në Australi, u bë pjesë e kësaj Kombëtare në vitin 1993, kurse pas karrierës si hendbollist arriti të bëhej edhe përzgjedhës (trajner) i Australisë.

Prej vitit 2016 ai përvojën e tij ndërkombëtare të fituar me klube dhe me Australinë, po e bart tek Kombëtarja e Kosovës, të cilën po e drejton prej vitit 2016.

Në intervistën për revistën “Olimpi”, ai flet për karrierën e tij, pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Sidnej 2000,  takimin e veçantë me presidentin e KOK-ut, Besim Hasani gjatë zhvillimit të kësaj Olimpiade, kombëtaren e Kosovës, hendbollin kosovar, etj.

 

Ku është cilësia e hendbollit kosovar sot, a ka përparim të viteve të fundit?

Hendbolli kosovar është në ngritje të vazhdueshme, falë punës së palodhshme të shumë personaliteteve që e mbajnë këtë sport në zemër dhe japin një mund të madh, pavarësisht kushteve të rënda në shumë klube. Viteve të fundit kemi filluar me integruar lojtare dhe trajnerë nga diaspora, që kanë shtetësi të Kosovës. Ky bashkëpunim po i jep hendbollit kosovar një dimension të ri dhe të duhur.

 

Kombëtarja e Kosovës ka shënuar përparim në vitet e fundit. A e keni pritur këtë?

Prej fillimit të angazhimit tim në Kosovë, kam vërejtur një pasion të dalluar në hendbollin kosovar. Sidomos nga gjeneratat e vjetra që kujtojnë me mall sukseset e së kaluarës. Gjithashtu, ky pasion nuk mungon as te gjeneratat e reja.  Ky entuziazëm, bashkë me traditën dhe histroinë e lashtë të hendbollit në viset tona, krijojne rrethana të shkëlqyeshme për përparimin e hendbollit tonë. Pra, prej ditëve të para kam pasur optimizëm në këtë projekt dhe për atë arsye kam pasur dëshirë të madhe të jem pjesë e kësaj familje sportive.

 

Kur do ta shohim Kombëtaren e Kosovës të kualifikuar në ndonjë Evropian ose Botëror?

Siç e dini, vitin e kaluar, përfaqësuesja jonë e juniorëve bëri histori, kur u kualifikua në kampionatin botëror për junior në Spanjë.  I vetmi ekip sportiv nga Kosova që ka arritur të kualifikohet në kampionat botëror. Ne arritëm garën kulminante botërore për junior. Mirëpo, synimi ynë është ta replikojmë këtë sukses edhe te ekipet seniore. Së pari, në fokus i kemi kampionatet evropiane. Këtu është mundësia më e mirë e jona për kualifikim dhe me punuar të përkushtueshëm shpresoj se kjo do të arrihet shpejt.

Këtë vit, falë rezultateve të mira që patëm në kampanjën e kualifikimeve për evropianin 2020, Federata Evropiane na ka klasifikuar direkt në raundin e dytë të kualifikueseve për edicionin e 2022. Ky është një hap i madh dhe i rëndsishëm për ne.

Ndërsa, udhëtimi për kampionat botëror është më i vështirë pasiqë numri i kualifikueseve në Evropian është  më i kufizuar. Në kualifikimet për Kampionatin Botëror të 2021, në janar në Itali, u renditëm para Italisë dhe Gjeorgjisë dhe vetem Rumania arriti të na sfidon. Kemi ngritje të dukshme viteve të fundit, por hapi tjeter deri në nivelin kulmor në Evropë është ende i madh për ne.

 

Sa është e vështirë të bindni lojtarët që luajnë jashtë vendit për ta veshur fanellën e Kosovës?

Bashkëpunimi me diasporën është një pjesë e rëndësishme e strategjisë së federatës tonë.   Kohët e fundit kam vërejtur se interesi nga lojtarët e rritur në diasporë është duke u ngritur. Mua, posaqërisht është duke më lënë mbrese të këndshme interesi i gjeneratave të reja që janë lindur e rritun në mërgim. Pikërisht dallohet entuziazmi i tyre, mirëmbajtja e gjuhës shqipe dhe dashuria që kanë për vendlindjen e prindërve. 

Pas suksesit të kohëve të fundit, ky interes ështe duke u ngritur gradualisht dhe jemi duke e vërejtur një gjeneratë të re nga diaspora, sidomos në kategorinë e vashave që vullnetarisht shprehin dëshirën për ta veshur fanellën tonë kombëtare.

 

Në shtator të këtij viti Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, shënoi 20-vjetorin e Lojërave Olimpike Sidnej 2000. Në këto Lojëra Olimpike ishit edhe ju si hendbollist i Australisë. Çka do të thotë për ju pjesëmarrja në Lojërat Olimpike dhe a ishit shqiptari i vetëm që morët pjesë?

Pjesëmarrja ime në përfaqësuesen e Australisë ne Lojërat Olimpike të Sidnej 2000 ishte kulminacion i 7 vjet pune të pandërprerë, sakrificës dhe mbështetjes familjare.  Në vitin 1993, isha një nga 40 lojtarë të ri që Australia i zgjodhi në skuadrën bazë për përgatitje olimpike. Shpejt e kuptova se shumëçka duhet lënë anash. Federata (australiane) investoi shumë në këtë projekt. Ndërkohë nga luftrat ballkanike në Australi erdhën një grup hendbollistësh të ri, profesionistë që shpejt u natyralizuan dhe u inkuadruan në ekip, gjithashtu kishte edhe emigrantë nga Skandinavia dhe Rumania. Çdo ditë numri fillestar zvogëlohej. Une ika për Hungari për ta ngritur nivelin tim. Aty pata fatin të lidhem me ekipin më të mirë hungarez të asaj kohe. Punonim shumë, rrethanat ishin tepër garuese dhe presioni ishte i madh – a do të ishte tanë kjo punë, kot? Mirëpo, nga eksperienca në ligën hungareze, u ngrita në nivel tjetër dhe gati se sigurova vendin tim në ekip.  Nga ekipi 40-lojtarësh në 1993, isha një nga vetëm tre që shpetuan udhëtimin deri në fund.

Pra, kur u renditëm për himin kombëtar para lojës sonë të parë (LO Sidnej 2000) kundër Suedisë, pata një moment refleksioni. Në palester ishin 10 mijë shikues, zhurma dhe energjia dukej se i dridhte muret e palestrës. Aty ishin dhe prindërit dhe familjarët mijë, miqtë e ngushtë dhe shokë nga fëmijëria ime. Në këtë moment më ranë parasysh të gjitha “hjekat” dhe sakrificat e mija dhe të familjes time për të arritur deri në atë pikë. Dhe, aty më kapluan emocionet dhe krenaria që ndjeva për familjen time. Isha shqiptari i vetëm në ekipin Olimpik australian.

 

Çka kujtoni nga ajo kohë, ndonjë moment të mirë?

Në ditën kur hymë në fshatin Olimpik, vajta në sallën e ushqimit e cila ishte më e madhe se një palester sportive. Ishte plot atletë që hynin e dilnin. Zgjodha ushqimin tim dhe ndërsa e gjeta një vend të ulem, nje grup sportistësh me uniforma greke më rane në sy. Çuditshëm m’u duk se flisnin shqip dhe vendosa të kaloj edhe një herë përreth tavolinës së tyre. Këtë herë më ngadalë. Dhe, kur u sigurova që vërtet shqip flisnin u përshendeta pa hezitim! Tash kurreshtja ishte e tyre, sepse unë isha me veshje australiane.  U përshëndetëm dhe me ftuan të ulem me ta. Ndër të grupit ishin peshëngritësit Agim Xhelili dhe Luan Shabani dhe atletja Mirela Manjani që tani përfaqësonin Greqinë. Ndërkohë, na u bashkëngjitën ekipi peshëngritës nga Shqipëria dhe shpejt u bë një bujë e madhe aty. I mbaj mend shakat ndaj Xhelilit dhe Shabanit për emrat e tyre që ua kishte zgjedhur Greqia. Gjithëçka ishte në humor të mirë. U përshëndetëm dhe më nuk u pamë.

 

Në LO Sidnej 2020 keni takuar edhe presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, i cili po lobonte për anëtarësimin e KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Na përshkruani pak ato momente?

Takimi në Sidnej me presidentin Besim Hasani është kujtim i çmueshëm për mua. Me presidentin ishin edhe tre fëmijë nga Kosova që kishin fituar shpërblimin madhështor nga një kuiz Olimpik i KOK-ut. Rreth tij gjithmonë ndjeja një energji të papërshkrueshme.

E mbaj mend mirë ditën kur u takova me presidentin. Brenda 5 minutave nga biseda jonë e parë, më mbeti një mbresë e pashlyeshme për presidentin. Ishte bindja dhe optimizmi i tij se Kosova një ditë do të bëhet garues i barabartë Olimpik me të gjitha shtetet tjera. Më kujtohej se si presidenti arriti të takojë shumë udhëheqës të komiteteve Olimpike të shteteve tjera dhe zyrtarëve të larte të organit Olimpik. Arrita edhe të takoj dhe krioj marrëdhënie me presidentin e Komitetit Olimpik Australian, John Coates, në çastet kur ai ishte në vrullin e ngjarjeve më të mëdha të jetës së tij. Presidenti Hasani kishte një qëllim të përkushtuar dhe vërehej nga energjia dhe puna e palodhshme e tij.

Personalisht, ajo që na bëri miq të jetës ishte mbështetja e tij edhe për mua.  Më jepte kurajo dhe motivim për Lojërat e mia, ishte prezent në momente kyçe për mua. Në fund më ftoi në Kosovë si mysafir personal i tij dhe i KOK-ut, dhe kur erdha më bëri një ndër mikëpritjet më të mira që kam përjetuar deri sot – dhe gjithashtu me njohu me personalitetet e mëdhaja të hendbollit tonë.

 

Kur mund ta shohim Kombëtaren tonë të hendbollit në Lojërat Olimpike?

Në garat Olimpike kualifikohen vetëm tetë ekipe evropiane. Ekipet e nivelit më të mirë botëror. Ardhja deri në këtë pikë është një sfidë e madhërishme, por jo e pamundshme. Mirëpo na duhet një përkushtim i madh dhe një investim 10-15 vjeçar për të pasur një shancë të vogël.

Së pari duhet ta shprehim këtë dëshirë dhe qëllim dhe ta krijojmë një projekt dhe rrethana të posaqme për sport elitar. Duhet t’i identifikojmë talentët nga mosha fëmijërore dhe të fillon puna për transferimin e tyre në lojtarë elitarë ndërkombëtarë. Posaqërisht duhet të investohet në infrastrukturë sportive, metoda trajnimi, gara të rregullta ndërkombëtare, investim në shkencë sportive, dietë sportive, mirëmbjatja fizike – çdokush që integrohet në këtë projekt duhet ta ketë mentalitetin të sportistit superior në çdo aspekt. 

Cili ekspert hendbolli në vitin 2006 kishte besuar se Holanda do të kualifikohej për garat Olimpike ndonjëherë? S’besoj se ka besuar ndokush. Por, posaqërisht kjo ndodhi në 2016 në Rio de Janeiro. Si? Ashtu siç e shpreha. Sot Holanda është kampion aktual botëror falë një projekti 10-vjeçarë. Triumf i madh për shtetet e vogla të Evropës. /Intervistoi: Kushtrim Krasniqi

 

 

LETËRNJOFTIMI

Datëlindja: 1 janar 1972

Vendlindja: Sidnej, Australi

 

Karriera si lojtar

1993 – 2009 Australia (140 ndeshje)

 

2006-2010 Canberra HC

2010-2011 Southern Stars

 

Karriera si trajner

2009-2013 Australia

2007 – 2016 ACT Men’s state team

2016 - Kosova

 

 

 

 

Na ndiqni

Video

Federatat

Federata e Gjimnastikës e Kosovës

[email protected]


Kryetar, Besim Halilaj
Tel. +383 44 243 636
E-mail, [email protected]


Sekretar i përgjithshëm: Amir Tahiraga
Tel. +383 44 145 009
E-mail, [email protected]

Federata e Pentatllonit Modern

Kryetar: Agron Kuqi
E-mail: 

Federata e Skermës e Kosovës
Federata e Kick-Boxit e Kosovës

E-mail: [email protected]

Kryetar: Fatmir Makolli
Mob: +383 44 209 292
E-mail:


Sekretar gjeneral: Nuhi Paçarizi
Mob: +383 44 201 305
E-mail:

Federata e Parkuorit e Kosovës

Kryetar: Berat Mavriqi
Tel
E-mail: [email protected]

 

Federata e E'Sportit e Kosovës
Federata e Teqbollit e Kosovës
Federata e Bejsbollit dhe Softbollit e Kosovës

Kryetar: Taulant Devolli
E-mail: [email protected]
Tel:


Sekretar i pergjithëshem: Pal Bala
E-mail: [email protected]
Tel: 

Federata e Sportit me Kuaj e Kosovës

Kryetar: Fehmi Fetahi
E-mail:

 

Sekretare: Arta Kokollari
E-mail: [email protected]