Dita 5 – Laura Fazliu e artë, Gjakova e Bajoku të bronztë
Edhe dita e pestë ka kaluar me medalje të fituara për ekipin tonë, i cili po e përfaqëson Kosovën në Lojërat e 19-ta Mesdhetare Oran 2022.
Më poshtë gjeni detaje për secilin sport.
Xhudo
Xhudistët fituan edhe dy medalje, nga tre garues që dolën në tatami. Laura Fazliu fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 63 kilogramë. Ajo në finale mundi spanjollen, Perez Cabana.
Medalje, por të bronztën e fitoi edhe Akil Gjakova. Ai triumfoi në luftën për të bronztën ndaj italianit, Manuel Lombardo, kategoria -73 kg.
Xhudo qoi në katër numrin e medaljeve të fituara, numër ky që mund të rritet të premten.
Arbër Kullashi nuk arriti të kalojë pengesën e parë për të vazhduar tutje në kategorinë -81 kg.
Boks
Boksieri ynë, Shpejtim Bajoku, dëshmoi se ka të ardhme të ndritur, pavarësisht se fitorja në fund i takoi algjerianit, Jahia Abdelli, që kishte përkrahjen e fuqishme të tifozëve vendas. Meçi i takonte gjysmëfinales së kategorisë -63 kilogramë në boks në Lojërat Mesdhetare Oran 2022.
Boksieri ynë e fitoi raundin e parë, por që dy raundet në vijim sipas gjyqtarëve i takuan algjerianit.
Sidoqoftë, Bajoku kishte siguruar medaljen e bronztë mbrëmë, të parën për Federatën e Boksit të Kosovës në Lojërat Mesdhetare, medalje kjo të cilën do ta pranojë në ditët në vijim.
Atletikë
Atleti me të ardhme të ndritur, Muhamet Ramadani, garoi në LM Oran 2022, e që për të ishte gara e parë e një niveli të tillë. Ramadani zuri vendin e 11-të, në hedhjen e gjylës. Nga tri sosh, hedhja e tij më e mirë ishte 18.06 metra, më pak se sa rekordi I tij personal (18.72 m.).
Gara e sotme do t'i shërbejë 19-vjeçarit si përvojë e mirë për nivelin elitar.
Shenjëtari
Edhe shenjëtarët tanë kanë nisur sot garat në Lojërat Mesdhetare #Oran2022.
Drilon Ibrahimi garoi në disiplinën 10 metra pushkë ajërore, ku doli i 21-ti me 605 pikë, të cilat nuk i mjaftuan që të hyjë në finale.
Nesër do të garojë shenjëtari tjetër, Nexhat Sahiti, i cili garon në disiplinën 10 metra pistoletë ajërore.
Drilonit i urojmë më shumë fat në garat e ardhshme ndërkombëtare.
Shigjetari
Dy shigjetarët tanë, Valmir Gllareva dhe Edi Dvorani, janë ndalur në 1/16 e finales në Lojërat Mesdhetare Oran 2022.
Të dy ishin të pafat, pasi humbën përballjet e tyre në rrethin e fundit të gjuajtjeve, me rezultat të njëjtë 6:4.Gllareva u përballë me Alesandro Paoli, ndërsa Dvorani me francezin, Iban Bariteaud, disiplina hark olimpik.