31 filma nga fusha e sportit u shfaqën për tri ditë në Festivalin e 1-rë Ndërkombëtar të Filmit Sportiv Prishtina 2020
31 filma nga fusha e sportit, janë shfaqur për tri ditë radhazi në Festivalin e 1-rë Ndërkombëtar të Filmit Sportiv, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Festivali mblodhi filma dhe dokumentarë të ndryshëm të 14 shteteve të huaja, ndërsa 12 sosh ishin vendorë, me tematika të ndryshme nga Olimpizmi, që në qendër të vëmendjes kishin kampionen Olimpike, Majlinda Kelmendi, pastaj sportet si futbolli, hendbolli, sportet ekstreme etj.
Pikërisht dokumentari “Majlinda heroinë” i autorit Arben Berisha, hapi të shtunën Festivalin, ku të pranishëm krahas drejtuesve të KOK-ut, presidentit Besim Hasani e sekretarit të përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, ishin edhe u.d. i sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj, u.d. i drejtorit në Departamentin e Sportit në MKRS, Fitim Arifi, konsuli i Zvicrës në Kosovë, Rene Huber, përfaqësues të lartë të Federatave Sportive, zyrtarë të lartë të komunës së Prishtinës, gazetarë, autorë të filmave vendorë, etj.
Në mungesë të pranisë së tij shkaku i pandemisë Covid 19, me një video-mesazh organizimin e Festivalit e përshëndeti edhe presidenti i Federatës Ndërkombëtare për Kinemanë Televizive Sportive, Franco Ascani.
Mbyllja e Festivalit u bë nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe ministrja për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi.
Presidenti Hasani, duke falënderuar prodhuesit e filmave, theksoi se ky Festival tash e tutje do të jetë tradicional, ndërsa konfirmoi se shtatë filma vendorë do të jenë në konkurrencë ndërkombëtare në Festivalin Botëror të Filmit dhe Kinemasë Sportive, që prej 7-11 nëntor 2020 mbahet në Milano të Italisë.
Ministrja Dumoshi duke përshëndetur nismën e organizimit të këtij Festivali, premtoi mbështetjen e saj, duke thënë se për vendin tonë një festival i tillë ka rëndësi të madhe, pasi dokumentohen të arriturat e sportit tonë, i cili ka një histori të dhimbshme.
Për tri ditë qindra adhurues të filmave dhe dokumentarëve sportivë vizituan kinemanë ABC, ndërsa autorët e filmave vendorë u shprehën të lumtur që tani e tutje dokumentarët e tyre kanë mundësi të shfaqen edhe nëpër kinema, falë këtij Festivali.