U prezantua ekipi olimpik i Kosovës që merr pjesë në EYOF “Gyor 2017”
Komiteti Olimpik i Kosovës ka prezantuar të enjten ekipin olimpik që do të marrë pjesë në Festivalin Olimpik Evropian për të rinj (EYOF), “Gyor 2017”, që mbahet në Hungari prej 23-29 korrik 2017.
14 sportistë të katër sporteve të ndryshme, atletika, xhudo, noti dhe tenisi do të përfaqësojnë Kosovën, me synimin për të fituar medalje. Me ta do të udhëtojnë edhe katër trajnerë.
Paraprakisht atyre iu dorëzuan uniformat nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Presidenti i KOK-ut, z.Besim Hasani, u ka uruar suksese të gjithë sportistëve, me shpresën se ata do të prezantojnë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ai prezantoi një nga një sportistët, derisa munguan xhudistët: Laura Fazliu dhe Shpat Zeka, tek të cilët pritet më së shumti për të fituar medalje. Ata ndodhen ende në përgatitje shtesë.
Të lumtur që do të përfaqësojnë Kosovën u shprehën edhe sportistët dhe trajnerët. Ata të enjten në mëngjes janë kthyer nga qendra sportive “Gloria Sport Center” të Belekut të Turqisë, ku u përgatitën që nga java e kaluar.
Të pranishëm në konferencë ishin edhe përfaqësues të Shoqatës së Tekstilëve të Kosovës (SHTK), të cilët sponsorizuan uniformat për sportistët.
Nora Zhilivoda nga SHTK-ja, u shpreh e lumtur që iu dha mundësia për të sponsorizuar sportistët, të cilët i uroi për të arritur suksese. Ajo theksoi se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më shumë në të ardhmen.
Ata i falënderoi edhe z.Besim Hasani, i cili zbuloi se kanë pasur oferta edhe nga shoqata kineze, por kanë vendosur t’ua japing mundësinë kompanive vendore.
Veshjen e sportistëve e mundësuan Kompanitë e tekstilit, Arta Tex, Fashion Netëork dhe Soxey.
Në fund, për sportistët u mbajtë një ligjërata për anti-doping nga dr.Gëzim Murseli, anëtar i Komisionit për Mjekësi Sportive të KOK-ut.
Ekspedita udhëton për në Hungari të premten, derisa hapja e Festivalit Olimpik Evropian për të rinj bëhet të dielën në ora 20:30.
Sportistët që marrin pjesë: Atletika: Gentiana Peci (disiplina: 3000 metra), Valentina Kelmendi (800m), Alaudin Suma (hedhje e diskut) dhe Arian Smajli (3000 metra). Nga noti janë: Ardit Hysejni (50m shpinë), Dion Kadriu (100m krol), Dren Ukimeraj (50m krol) dhe Muhamed Rushiti (50m delfin). Nga xhudo: Laura Fazliu, Arbër Kullashi, Selim Berisha e Shpati Zekaj dhe nga tenisi: Blearta Ukëhaxhaj dhe Diell Mehmedi.