Ekipi olimpik i Kosovës mbërriti në qytetin e Gyorit
Të veshur me fanella të kaltëra dhe me mbishkrimin Kosova, ekspedita e ekipit olimpik të Kosovës ka mbërritur rreth orës 18:30 të së premtes në qytetin e Gyorit, ku do të zhvillohet Festivali Olimpik Evropian për të rinj (EYOF).
Ekipi i Kosovës udhëtoi bashkë me ekipin olimpik të Shqipërisë, të cilët po ashtu do të marrin pjesë në EYOF “Gyor 2017”.
Kosova përfaqësohet me 14 sportistë, derisa dy prej tyre, xhudistët Laura Fazliu dhe Shpat Zeka, do t’i bashkohen ekspeditës më vonë, pasi ndodhen në përgatitje shtesë me trajnerin e njohur, Driton Kuka.
Ekspeditës tonë i printe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës z.Besim Hasani, dhe sekretari i përgjithshëm, z.Shasivar Haxhijaj, të cilët edhe një herë i kanë uruar sportistët, derisa kanë kërkuar nga ta të tregojnë disiplinë për gjatë ditëve sa do të zhvillohet ky festival.
Organizatorët kanë pritur delegacionin e Kosovës në Aeroportin e Budapestit, të cilët me autobus i kanë bartur për në Gyor, qytet ky që ndodhet 123 km larg Budapestit.
Ceremonia e hapjes solemne zhvillohet të dielën (23 korrik) në ora 20:30, ndërsa garat fillojnë më 24 korrik. Sipas orarit, së pari paraqiten notarët tanë, të cilët garat i zhvillojnë në ditën e parë, bashkë me tenisin dhe atletikën, kurse në bazë të shortit do të dihet se në sa ora do të garojnë.
Orarin e garave mund ta gjeni edhe në faqen zyrtare të KOK-ut, “noc-kosovo.org”, tek seksioni “Gyor 2017”.