Atletika synon t’i sjellë Kosovës medalje nga EYOF “Gyor 2017”
Kosova nuk do të pres medalje vetëm nga xhudoja në Kampionatin Olimpik Evropian për të rinj (EYOF), “Gyor 2017”, që mbahet në Hungari prej 23-29 korrik 2017.
Është atletika që beson se kanë kapacitet për të t’u ngjitur në podium.
Trajneri i tyre, Xhavit Tahiri, beson se ndonjëri nga garuesit e tij do të hyjnë në zonën e medaljeve.
Ai po i përgatit garuesit e tij në qëndrën sportive “Gloria Sports Center” në Belek të Turqisë, ku u dërguan nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
“Kemi atletë mjaft cilësorë, duke filluar nga Gentiana Peci, që garon në 3000 metra, Arian Smajli është atlet i ri dhe me të ardhme, prandaj presim të hyjmë në zonën e medaljeve. Alaudin Suma premton shumë në hedhjen e diskut, është më i miri në Kosovë. E kemi edhe Valentina Kelmendin, e cila për grupmoshën e saj është mjaftë e mirë. Unë shpresoj se do të kthehemi me ndonjë medalje”, tregon optimizmin e tij, Tahiri.
Optimiste e madhe tregohet edhe sportistja, Gentiana Peci. “Jemi duke u përgatitur maksimalisht dhe presim që ne atletët të sjellim medalje, për çka do të ishte kënaqësi e madhe. Atletika ka kapacitet për të fituar medalje”, thekson ajo.
Për rezultate të mira udhëtojnë edhe Alaudin Suma, Arian Smajli dhe Valentina Kelmendi, të cilët janë të vetëdijshëm për konkurrencën e fortë, por me përgatitje të mira besojnë se do të kenë përfaqësim dinjitoz.
“Jemi të gatshëm për të sjell medalje”, ndërhyn Suma, që garon në hedhjen e diskut. Smajli garon në disiplinën 3 000 metra, kurse Kelmendi në 800 metra.
Atletika përfaqëson Kosovën me katër sportistë, aq sa ka edhe xhudoja dhe noti, kurse tenisi me dy.