Patras 2019 - Lojërat Mesdhetare në Rërë

Hapja Gusht 2019

Lozana 2020 - Lojërat Olimpike Dimërore për të rinj

Hapja 10.01.2020 10:00

Tokyo 2020 - Lojërat Olimpike

Hapja 24.7.2020 10:00

KOK dhe Gjirafa nënshkruajnë kontratën e parë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Sponsorizim

07.08.2019 14:58:26

Kompania e avancuar e teknologjisë, Gjirafa, i është bashkuar planit strategjik të marketingut të Komitetit Olimpik të Kosovës.
KOK dhe Gjirafa, kanë nënshkruar sot kontratën e sponsorizimit, e cila njëherit është e para që prej hyrjes në fuqi të Ligjit të Sponsorizimit në fushën e Sportit, Kulturës dhe Rinisë.
Kontrata është nënshkruar nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe drejtori i përgjithshëm i platformës Gjirafa, Mërgim Cahani, ndërsa të pranishëm ishin edhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj dhe drejtues tjerë të Gjirafës.
Presidenti Hasani tha se kjo ditë është e veçantë për dy gjëra të rëndësishme.
“Kjo është marrëveshja e parë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Sponsorizime, për çka besoj se do të jetë një lajm i mirë, një hap i parë për të hapur rrugën edhe për marrëveshje tjera, jo vetëm që do të lidhen midis KOK-ut dhe etniteteve tjera, por edhe midis biznesit dhe organizatave tjera sportive, që janë federatat, klubet, por edhe sportistët”, tha presidenti Hasani, në konferencën për media të organizuar në objektin e Gjirafës.
“E dyta e veçantë ndërlidhet pikërisht me 7 gushtin 2016, ku tri vite më parë e tronditëm botën me një lajm të jashtëzakonshëm, me një arritje të përmasave botërore, ku në shtetin që nuk na njeh, Brazilin, Majlinda Kelmendi rrëmbeu medaljen e artë dhe e renditi Kosovën në mesin e 100 shteteve me medalje të artë”, shtoi i pari i Lëvizjes Olimpike në Kosovë.
Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm i Gjirafës, Mërgim Cahani, shprehu kënaqësinë që kompania që drejton do të jetë partner i Komitetit Olimpik të Kosovës.
 “Jemi mbledhur sot për një arsye shumë të rëndësishme, pasi jemi duke krijuar partneritet Gjirafa me shërbimet e veta dhe me Komitetin Olimpik të Kosovës. Ne do të donim të inspiroheshim nga KOK-u dhe nga arritjet e sportistëve tanë në mbarë botën. Kjo për ne e bënë shumë të rëndësishme nënshkrimin e kësaj kontrate dhe bashkëpunimi ynë do të shtojë vlerat e të dyja palëve”, deklaroi ndër të tjera Cahani.
Kontrata është një-vjeçare me mundësi vazhdimi edhe për vitet tjera.
Gjirafa iu bashkua partnerëve të KOK-ut si: Iute Credit Kosova, Hotel Sirius, Toyota Kosova dhe Kosova Press, ndërsa KOK në javët e ardhshme pritet të zyrtarizojë edhe marrëveshje të tjera të sponsorizimit.


 

Medaljet e fituara në Lojërat Olimpike

Kosova për herë të parë mori pjesë në Lojërat Olimpike “RIO 2016”. Medaljen e artë e ka fituar xhudistja, Majlinda Kelmendi, në kategorinë deri 52 kilogram.
1
0
0
Rezultatet e Ekipit Olimpik të Kosovës në Lojërat Olimpike për të rinj, Buenos Aires 2018