Media sponsor

Minsk 2019 - Lojërat Evropiane

Hapja 21.06.2019 20:00

Baku 2019 - Festivali Olimpik Evropian për të rinj

Hapja 20.07.2019 20:00

San Diego 2019 - Lojërat Botërore në rërë

Hapja Tetor 2019

Lozana 2020 - Lojërat Olimpike Dimërore për të rinj

Hapja 10.01.2020 10:00

Tokyo 2020 - Lojërat Olimpike

Hapja 24.7.2020 10:00

GJUHA E SPORTIT

29.12.2018 17:16:00

Doajeni i gazetarisë sportive në Kosovë, Xhavit Kajtazi, ishte i pranishëm në konferencën e dytë “Sporti dhe Media”, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve Sportivë të Kosovës.

Ai i dhuroi librin “Fjalori i Futbollit”, presidentit të KOK-ut, Besim Hasani, derisa një tjetër ia dedikoi ministrit Kujtim Gashi.
Në pamundësi të kohës për të lexuar një përmbledhje me titullin “Gjuha e Sportit”, KOK po e publikon shkrimin e mëposhtëm.

Xhavit KAJTAZI
Edhe në fushën e sportit gjuha e folur dhe e shkruar në radio, në televizion, në gazeta, në revista dhe në libra i ka paraprirë sportit, që mbetet edhe sot e kësaj dite veprimtaria më e varfër për sa i përket lëvrimit të kodifikuar.
Të thuash që është e pasur – është. Pra, e pasur sepse kemi gazetarë të vyer që i kanë kushtuar kujdes dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe tash, me paraqitjet e tyre në mediet e shkruara dhe elektronike.
Të thuash që është e varfër – është. Pra, e varfër sepse mungesa e njohurive thelbësore për sportin, edhe për gjuhën, i ka bërë ata të jenë shqipshkelës, duke trajtuar tema me një fjalor të varfër, me shumë terma të huazur pa kurrëfarë kriteri dhe me një sintaksë jo fort të lavdërueshme të fjalisë, me mungesë dallimi numri, gjinie e të tjera...
Nuk ka asgjë të keqe që gazetarët dhe ata që shkrujanë përgjithësisht për sportin, pra edhe shkencëtarët e sportit, që të përdorin teknikën e shkrimit të gjuhëve të tjera, por është e keqe dhe i bën dëm gjuhës përdorimi pa kurrëfarë kriteri i termave të huaj, edhe atëherë kur i kemi të gjuhës së mbarë të shqipes... Pse t’i themi afatit të kalimit merkato? Pse të themi tratativë? Ose, traverzë, transverzale, reprezentacion, selektor, arbitër e të tjera. I kemi fjalët e mbara të shqipes dhe është mirë që ato t’i përdorim.
Të thuash që lë për të dëshiruar – lë. Pra lë, dhe madje lë shumë për të dëshiruar, sepse përparimet në këtë fushë, kanë mbetur prapa zhvillimeve jo vetëm të sportit si shkencë, por edhe si kulturë...
Kanë munguar për shumë kohë gazetat dhe revistat e specializuara të sportit, radiot dhe televizionet e sportit, ndërkohë që të tjerët këtë mungesë nuk e quajnë as si emër kuptimi. Edhe Shqipëria, tashmë i ka tejkaluar këto mungesa dhe sot ka shumë medie të shkruara dhe elektronike të sportit, ndërkohë qe ne kemi ende redaksi e rubrika të sportit dhe një Supersport Kosova, që hiq qasjen ndaj gjuhës, që le shumë për të dëshiruar, është një dritare që transmeton një arritje e cila i është dashur që në shekullin e kaluar...
Është jashtëzakonisht interesante ecuria e zhvillimit të terminologjisë sportive në gjuhën shqipe. Nisi pa fjalorë dhe me pak libra të sportit, ndërkohë në shekullin 20 shohim fjalorët e parë, fillimisht të gjuhës shqipe, e më pas edhe të atyre terminologjikë.
Fjalori i gjuhës së sotme shqipe i vitit 1980, ka përfshirë 328 terma sportivë, prej të cilëve 260 me burim të shqipes. 68 prej tyre janë fjalë të huaja.
Një vit më pas, pra më 1981 shfaqet botimi 108- faqësh i Fjalorit të termave të kulturës fizike dhe sporteve i botuar nga SHB “Libri shkollor”. Në këtë fjalor janë përfshirë afro 800 terma.
Duke pasur këtë gjendje edhe në shekullin 21, pra në ditët e sotme, sikur kjo gjuhë e sportit po mësohet nga meditet e shkruara dhe elektronike.
Meqë futbolli është sporti numër një edhe te ne shqiptarët, në vitin 2003, pas 20 vitesh punë botova “Fjalorin e futbollit”, fjalësi i të cilit përfshinë gjithsej 678 zëra.
Sa kam njohuri, ky është fjalori i parë i futbollit në gjuhën shqipe, dhe i dyti fjalor i terminologjisë sportive.
Në “Fjalorin e futbollit”, unë kam dhënë vetëm fjalën lëndim, por të shpjeguar edhe me gjegjësinë, përkatësisht sinonimin dëmtim. Kam përshirë pesë lloje të lëndimeve (dëmtimeve), që janë më të pranishme në futboll, pra edhe në sport. Si: Lëndimi i dorës/Lëndimi i këmbës/Lëndimi i kokës/Lëndimi i meniskut/Lëndimi i supit...
Në shpegimin e tyre kam përdorur gjegjësinë, përkatësisht sinonimin dëmtim.
Edhe njëra, edhe tjera mund të përdoren pa mëdyshje, sepse janë fjalë shqipe.
Mbase kjo e dyta, pra fjala dëmtim, kujtoj se është më sportive dhe mund të përdoret më shpesh se fjala lëndim, që duket se është studiuar më shtruar dhe me kohën do të lëshojë udhë.
Në shumë shkrime që i kam botuar në periodikun tonë, për sa i përket përdorimit të fjalëve të huaja, kam thënë: përderia të mos gjendet barasvlerësi të paktën i përafërt i shqipes, mund të përdoren edhe ndërkombëtarizmat siç ka qenë deri vonë edhe fjala e huaj korner, që në shkencën sportive përkuzon një lloj të goditjes nga këndi i fushës, e që është provuar të zëvendësohet me fjalën shqipe. Kjo provë për mendimin tim tash së voni ka përmbyllur përpjekjen për t’u zëvendësuar.
Nisi të përdorej si goditje nga këndi, dhe tash së voni edhe si një fjalë e vetme, këndore.
Në fjalorin e futbollit” kam dhënë një grumbull fjalësh që kanë të bëjnë me goditjen, siç janë: Goditje e lirë/Goditje e drejpërdrejtë/Goditje për shkak të pozicionin jashtë loje ose prapashinës/Godtije tërthorazi/Goditje e shkëlqyeshme/Goditje e topit me ballë (këtu mund të futen edhe goditjet me gju, me gjoks, ,me majë me fliq, e plotë, me trinën e brendshme, me trinën e jashtme etj)/Goditje fillestare/Goditje me kokë në kërcim/Goditje me prerje (efe)/Goditje me volej dhe/Goditje nga këndi, ose këndore (që po përdoret sot)/Goditje nga largësia etj.
Kështu që fjala angleze korner, sipas mendimit tim, as nuk duhet të përdorët për prestigj, as nuk duhet të përdoret si modë, madje as si bukurtingëllim, por duhet të zëvendësohet me fjalët shqipe goditje nga këndi, pse jo edhe këndore.
Fillimi i jetës për një fjalë të re është i vështirë, sepse trazon veshin, i cili vështirë harron të them kushtimisht, vesin. Por, me kalimin e kohës duke këmbëngulur që termi i ri të përdoret pa ngurrim, një ditë do të jep rezultatin e kërkuar.
Nuk dua të besoj në fjalën e urtë (për këtë rast, natyrisht): Çka piqet, nuk hiqet!. Le të vlej pra tjetra: Çka piqet, mund të hiqet!...
Merreni vetëm se si ka ecur procesi i fjalës futboll gjatë këtyre tre shekujve të fundit. Ka nisur si fostball, pastaj si football, më tutje si futball, për të ardhur tek ne në trajtën edhe më tej të huaj si futboll, e që do të vazhdojë të përdoret si e tillë deri sa nuk do të gjurmohet e studiohet ndonjë fjalë e përafërt e brumit të mbarë të shqipes.
Çfarë i mungon sot gjuhës shqipe në terminologjinë e sportit? Ka shumëçka që i mungon, por mbi të gjitha i mungojnë fjalorët terminologjikë.  As pas 105 vjetesh, për fat të keq tonin dhe të gjuhës sonë. nuk mund të marrim notë kaluese përsa i përket pasjes së një fjalori gjithpërfshirës të sportit.
Po i jep disa zëra: si përdoren, përkatësisht se si duhet të përdoren.
Akordon penallti - Jep penallti/ Arbiter (refer) – Gjyqtar/Avantazh – Epërsi/ Definitivisht – Përfundimisht/ Diferencë - Dallim, ndryshim/ Distancë – Largësi/ Duel – Dyluftim/ Eksperiencë – Përvojë Ekulibër – Baraspeshë/ Hezitoj – Ngurroj/ Iniciativë – Nismë/ Intervenim – Ndërhyrje/ Koncentrim – Përqendrim/ Kualitet – Cilësi/ Merkato – Afat i kalimit/ Moment – Çast/ Ofensive – Sulmuese/ Defensive – Mbrojtëse/ Reprezentacion – Përfaqësuese, përzgjedhje, kombëtare/ Situatë – Gjendje/ Ofsajd – Prapashpinë, pozicizion jashtë loje/ Spektator – Shikues/ Tentativë – Përpjekje.
Nga fjalët e huazuara në fushë të sportit është dhe ajo merkato.  Fjala merkato ka ardhur nga Shqipëria, ndërsa atje e sollën nga Italia. Para se të vinte në Kosovë kishim fjalën shqipe afat i kalimit. Kopjimet e shkrimeve në portale dhe botimi apo leximi i tyre pa iu shtruar redakturës gjuhësore, e ka vënë para fjalës shqipe që ne e kishim shumë herët, e që për fat të keq kemi zënë ta harrojmë.
Kapitulli më i ndieshëm dhe që bën ndikim të drejpërdrejt janë shpjeguesit (komentatorët) e ngjarjeve sportive. Një përgatitje e mirë e tyre edhe për sa i përket gjuhës dhe terminologjisë sportive, të frazeologjisë shumë të pasur që kemi, do të ishte për t’u vlerësuar. E di se ata e kanë shumë vështirë që në këtë pikëpamje të ofrojnë të paktën një pjesë të kësaj pasurie që kemi, por e di poashtu se në këtë rol do të duhej të ishin gazetarë të përgatitur më mirë së kushdo tjetër.

Medaljet e fituara në Lojërat Olimpike

Kosova për herë të parë mori pjesë në Lojërat Olimpike “RIO 2016”. Medaljen e artë e ka fituar xhudistja, Majlinda Kelmendi, në kategorinë deri 52 kilogram.
1
0
0